Browse

Article • • 1 min read

Erdogan synon një mandat tjetër në 2028 mes kufizimeve kushtetuese

Share Post

26 Nëntor 2026 19:58

Zgjedhjet e ardhshme në Turqi pritet të mbahen në vitin 2028, por ato mund të organizohen një ose dy muaj më herët se afati i paraparë në maj. Këtë e ka bërë të ditur të enjten zëvendëspresidenti turk, Cevdet Yilmaz, i cili ka konfirmuar gjithashtu se brenda aleancës qeverisëse ekziston pajtueshmëri që presidenti Recep Tayyip Erdogan të kandidojë sërish.

“Zgjedhjet do të mbahen në vitin 2028. Po diskutohet nëse mund të mbahen një muaj ose dy muaj më herët. Mund të sillen disi përpara”, deklaroi Yilmaz, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ai shtoi se brenda aleancës në pushtet tashmë është arritur konsensus që Erdogan të jetë sërish kandidat për president.

Sipas raportimit, mbajtja e zgjedhjeve një ose dy muaj më herët mund t’i hapë rrugë Erdoganit për të kandiduar për një mandat tjetër, duke anashkaluar kufizimin kushtetues që një president të shërbejë më shumë se dy mandate pesëvjeçare.

Kushtetuta turke parasheh që zgjedhjet e parakohshme mund të shpallen nga parlamenti nëse propozimi mbështetet nga së paku 360 prej 600 deputetëve.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Erdoganit dhe aleatja e saj, Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), kanë gjithsej 326 ulëse në parlament. Për të siguruar mbështetjen e nevojshme, atyre do t’u duhen edhe votat e së paku 34 deputetëve të tjerë.

Erdogan erdhi në pushtet si kryeministër në vitin 2003, pozitë në të cilën shërbeu për tri mandate, përpara se të zgjidhej president në vitin 2014.

Pas referendumit të vitit 2017, Turqia kaloi në sistemin presidencial ekzekutiv, i cili hyri në fuqi në vitin 2018, kur Erdogan u rizgjodh president. Ai fitoi edhe zgjedhjet e vitit 2023.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/