Browse

Article • • 1 min read

Kusari-Lila diskuton për Zonat Eko-Industriale për investimet finlandeze në Kosovë

Share Post

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, me të cilën ka diskutuar për mundësitë e rritjes së investimeve dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Përmes një njoftimi, Kusari-Lila ka bërë të ditur se në fokus të takimit kanë qenë Zonat Eko-Industriale, si mundësi për kompanitë e huaja, përfshirë ato finlandeze, që të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Kosovë.

Ajo ka thënë se ambasadorja ka ndarë vlerësime pozitive të disa kompanive finlandeze që tashmë investojnë në Kosovë, lidhur me klimën e të bërit biznes dhe mikpritjen në vend.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për organizimin e “Ditës së Kompanive Nordike” në Kosovë, si dhe për forcimin e lidhjeve me afaristët kosovarë që veprojnë në Finlandë.

Kusari-Lila ka bërë të ditur se ambasadorja e ka ftuar Kosovën që vitin e ardhshëm të marrë pjesë në SLUSH, ngjarjen ndërkombëtare për startup-et dhe inovacionin që mbahet në Helsinki.

Po ashtu, në takim është diskutuar për fuqizimin e grave në ekonomi dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional në këtë fushë.

Sipas Kusari-Lilës, mbi 22 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë sot në Finlandë, ku kanë arritur një shkallë të lartë integrimi./Arbresh.info