Nagavci kritikon vendimin për Gjykatën Speciale pasi dalin pasojat
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka folur në Kuvend për vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë, pas rreth gjashtë vjetësh, duke e lidhur atë me situatën e rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Ajo tha se kthimi i Krasniqit dhe pamjet nga takimi i tij me familjarët kanë qenë emocionale dhe se koha e humbur gjatë këtyre viteve nuk mund të rikthehet.
“Ato pamje duhet të na kujtojnë edhe diçka tjetër se vendimet politike nuk mbeten në dokumente, por dalin nga kjo sallë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve”, ka thënë ajo.
Nagavci e cilësoi Krasniqin si një prej figurave të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke përmendur rolin e tij në disa prej periudhave më të rëndësishme të vendit.
Duke iu referuar votimit të vitit 2015 për themelimin e Gjykatës Speciale, ajo tha se sot mund të shihen pasojat e atij vendimi të deputetëve.
“Votimi për themelimin e saj ishte gabim, pasojat e të cilit po i shohim edhe sot”, ka thënë ajo.
Në fund, Nagavci ka bërë thirrje që nga përvojat e tilla të nxirren mësime për mënyrën e ushtrimit të përgjegjësive parlamentare.