Arrestohet një zyrtar policor në Kosovë për bixhoz të paligjshëm online dhe armëmbajtje
Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor nga Stacioni Policor në Ferizaj, nën dyshimin për organizim të bixhozit të paligjshëm në formë online, organizim të skemave piramidale dhe armëmbajtje pa leje. Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, me vendim të prokurorit.
Sipas komunikatës së IPK-së, arrestimi është bërë pas veprimeve hetimore të zhvilluara në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
“Si pjesë e veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së dje janë bastisur shtatë (7) lokacione, ku janë sekuestruar dy armë të shkurtra, një armë e gjatë e gjuetisë, dy armë të ftohta (thika), si dhe municion i llojeve të ndryshme” thuhet në komunikatën e IPK-së.
Sipas dyshimeve fillestare, zyrtari policor, jashtë detyrës zyrtare, gjatë vitit 2026 ishte përfshirë në organizimin e bixhozit të paligjshëm në formë online. Po ashtu, dyshohet se kishte mbajtur në posedim një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën më pas ia kishte shitur një personi tjetër.
Në kuadër të këtij rasti, sipas IPK-së janë intervistuar edhe gjashtë qytetarë në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale “Shitblerja e armëve”, ndaj të cilëve hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit policor, në interes të hetimit dhe bazuar në autorizimet ligjore.
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës njoftojnë se në koordinim me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast./Arbresh.info