Incidenti gjatë stërvitjes së FSK-së nxit debat politik, kritikohet si i papranueshëm
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi, ka reaguar lidhur me incidentin gjatë një stërvitjeje ushtarake të FSK-së, ku një pjesëtar pësoi lëndime të lehta.
Ajo ka bërë të ditur se pjesëtari i FSK-së ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe është liruar për në shtëpi po atë ditë, transmeton Arbresh.info
Në reagimin e saj, Mehmeti Selimi ka thënë se është e papranueshme që një incident i tillë të shndërrohet në instrument të debatit politik e mediatik dhe të përdoret për të goditur institucionet e sigurisë.
“Lidhur me incidentin e raportuar gjatë një stërvitjeje ushtarake, duhet theksuar se lëndimet mund të ndodhin gjatë trajnimeve reale ushtarake, ku pjesëtarët kanë angazhim të drejtpërdrejtë me paisje dhe armatim. Në këtë rast, pjesëtari i FSK-së ka pësuar lëndime të lehta, dhe ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe është liruar për në shtëpi po atë ditë. Shëndeti dhe mirëqenia e tij mbeten prioritet, i uroj shërim të plotë dhe të shpejtë. Është e papranueshme që një incident i tillë të shndërrohet në instrument të debatit politik e mediatik dhe të përdoret për të goditur institucionet e sigurisë. Siguria e vendit dhe profesionalizmi i FSK-së duhet të jenë çështje që na bashkojnë, jo tema për përfitime të ditës. Çdo incident duhet të trajtohet me përgjegjësi, seriozitet dhe në bazë të fakteve”, ka shkruar Mehmeti-Selimi në Facebook.
Deputetja ka vlerësuar se FSK-ja po kalon një transformim të thellë, duke avancuar drejt një force moderne dhe profesionale.
Ajo ka përmendur rritjen e investimeve në mbrojtje, zgjerimin e kapaciteteve njerëzore, modernizimin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake, si dhe avancimin e aftësive operacionale.
“FSK-ja sot është forcë që po kalon një transformim të thellë dhe historik, duke avancuar nga një strukturë me kapacitete të kufizuara në një forcë moderne, profesionale dhe gjithnjë e më të aftë për të përmbushur misionin e saj. Nën drejtimin e Qeverisë Kurti, investimet në mbrojtje janë rritur si kurrë më parë, janë zgjeruar kapacitetet njerëzore, është modernizuar armatimi dhe pajisjet ushtarake, si dhe janë avancuar aftësitë operacionale”, tha ajo.
“Pjesë e domosdoshme e këtij transformimi janë trajnimet praktike dhe ndërveprimi me armë e sisteme reale armatimi. Gatishmëria luftarake dhe profesionalizmi ndërtohen përmes ushtrimeve reale, zbatimit të procedurave dhe përgatitjes për çdo skenar, gjithmonë duke respektuar standardet më të larta të sigurisë. Synimi ynë është që FSK-ja të jetë edhe më e fuqishme, më moderne dhe shumë profesionale, e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe përmbushjen e detyrimeve në partneritet me aleatët tanë”, tha në fund deputetja e VV-së./Arbresh.info
LEXO EDHE:
Për pak sa nuk përfundoi në tragjedi, shpërthen municioni gjatë qitjeve të FSK-së në Babaj të Bokës
Për pak sa nuk përfundoi në tragjedi, shpërthen municioni gjatë qitjeve të FSK-së në Babaj të Bokës