Ardita Sinani Bën Thirrje për Pjesëmarrje të Lartë në Zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka votuar sot në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), duke u bërë thirrje qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike të votës.
Përmes një postimi në Facebook, Sinani ka bërë të ditur se e ka përmbushur obligimin e saj qytetar, ndërsa ka shprehur urimin që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe demokratike, me pjesëmarrje sa më të madhe.
Ajo ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, duke e cilësuar votën si mënyrën më të drejtpërdrejtë për të shprehur vullnetin qytetar dhe për të ndikuar në të ardhmen e përbashkët.
“Ftoj të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, sepse pjesëmarrja është mënyra më e drejtpërdrejtë për të shprehur vullnetin dhe për të ndikuar në të ardhmen tonë të përbashkët”, ka shkruar Sinani.
Në zgjedhjet e sotme për 29 vende në Këshillin Kombëtar Shqiptar garojnë katër lista zgjedhore me gjithsej 107 kandidatë.
Të drejtë vote kanë 37.759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Veçantë Zgjedhore.
Këto zgjedhje vijnë pas garimit të përbashkët të subjekteve politike shqiptare në Luginën e Preshevës në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ku ato u përballën me partinë e Aleksandar Vuçiqit dhe subjektet e tjera politike./Arbresh.info