Nis Hetimi Parlamentar për Vrasjen e Arlinda Zekajt në Kosovë
Sot nis zyrtarisht hetimi parlamentar për zbardhjen e rrethanave që i paraprinë vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj.
Komisioni hetimor parlamentar i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga përfaqësues të të gjitha partive politike, do të mbajë mbledhjen e parë në orën 11:30. Komisioni kryesohet nga Burim Ramadani.
Pjesë e tij është edhe nënkryetarja e Kuvendit, Emilia Rexhepi, e cila ka bërë të ditur se qëllimi është të shqyrtohen të gjitha rrethanat që i paraprinë vrasjes dhe të identifikohen pengesat eventuale në punën e institucioneve.
“Do të japim maksimumin tonë që të shohim se si po shkon hetimi lidhur me rastin e Arlindës dhe të kuptojmë nëse institucionet, ndoshta diku, janë bllokuar në këtë proces”, është shprehur ajo.
Ajo ka theksuar gjithashtu se numri i vrasjeve të grave në Kosovë është shqetësues dhe se shoqëria duhet të përballet me këtë problem.
Mbledhja e sotme shënon hapin e parë të komisionit parlamentar, i cili pritet të shqyrtojë veprimet institucionale dhe përgjegjësitë eventuale lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.