Browse

Article • • 1 min read

Albulena Haxhiu Nderon Zahir Pajazitin: Pushka e Parë e Lirisë

Share Post

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kujtuar heroin Zahir Pajaziti në ditëlindjen e tij, duke vlerësuar kontributin e tij në organizimin e rezistencës së armatosur dhe rrugën drejt çlirimit të Kosovës.

Në një postim, Haxhiu ka shkruar se Pajaziti e lidhi që herët fatin e tij me lirinë e Kosovës, duke kaluar shumë herë kufirin për të organizuar dhe përgatitur luftëtarë të rinj.

Ajo ka theksuar se aksionet e para çlirimtare kundër forcave policore serbe, të ndërmarra nga Pajaziti dhe bashkëluftëtarët e tij, u dhanë shpresë shqiptarëve në kohën e shtypjes dhe dhunës.

“Sot është ditëlindja e heroit Zahir Pajaziti, pararendësit të luftës çlirimtare dhe njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zahiri qysh herët e lidhi fatin e tij me lirinë e Kosovës. Ai kaloi shumë herë kufirin për të organizuar dhe përgatitur luftëtarë të rinj dhe, bashkë me shokët e tij, ndërmori aksionet e para çlirimtare kundër forcave policore serbe dhe atyre që e mbanin popullin nën frikë e shtypje të vazhdueshme. Në ato vite, kur policia serbe hynte nëpër shtëpitë shqiptare, rrihte e burgoste njerëz pa i dhënë llogari askujt, secili aksion i tyre i jepte popullit shpresë se zullumi dhe dhuna nuk do të mbeteshin pa përgjigje. Me guximin dhe vendosmërinë e tij, Zahiri e fitoi emrin që ia dha vetë populli “Pushka e parë e lirisë””, ka shkruar Haxhiu.

“Më 31 janar 1997, në hyrje të fshatit Pestovë, policia serbe e zuri në pritë veturën me të cilën udhëtonte bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën. Të tre iu kundërpërgjigjën me armë dhe ranë në altarin e lirisë. Rënia e tyre nxiti qindra të rinj e të reja anembanë Kosovës t’i bashkoheshin UÇK-së. Atë që ai dhe shokët e tij e nisën me pak armë, e vazhduan mijëra luftëtarë deri në çlirimin e Kosovës. Emri dhe vepra e tij mbeten pjesë e pandarë e historisë sonë. Lavdi Zahir Pajazitit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë”, shkroi Haxhiu./Arbresh.info