27-vjeçari dhe foshnja gjenden të pajetë në Gjilan, nis hetimi
Një 27-vjeçar dhe një foshnje janë gjetur pa shenja jete mëngjesin e së dielës në fshatin Demiraj të Gjilanit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka konfirmuar se trupat e pajetë u dërguan në IML për obduksion.
“Më 01.11.2026 rreth orës 08:47 kemi pranuar informacion se në një shtëpi në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit, dyshohet për dy trupa të pajetë, një person i gjinisë mashkullore i vitit të lindjes 1999 dhe një foshnjë. Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga ky i fundit është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete.”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, për rastin do të vazhdojnë hetimet.
“Në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, rast i cili është cilësuar si “Hetim i vdekjes”’, tha Hashani për Betimi për Drejtësi.