Browse

Article • • 1 min read

Buxheti i Kosovës për 2027 do të tejkalojë 1 miliard euro për investime kapitale

Share Post

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku ka folur për disa zhvillime në vend, rajon dhe brenda subjektit politik.

Gjatë fjalimit, Kurti është ndalur te vrasja e Arlinda Zekajt, duke thënë se ky rast dëshmon se ndjekja e rrugëve ligjore, denoncimi i dhunës dhe paralajmërimi për rrezikun ndaj jetës nuk garantojnë gjithmonë mbrojtjen e viktimave.

Ai ka përmendur lëshimet zinxhirore të institucioneve përgjegjëse gjatë trajtimit të rastit dhe ka paralajmëruar se zyrtarët që kanë neglizhuar detyrat do të përballen me përgjegjësi disiplinore dhe penale.

“Secili përgjegjës dhe secila përgjegjësi e secilës hallkë do të hetohet. Kushdo që ka neglizhuar punën apo ka bërë shkelje të detyrimeve ligjore, duhet të japë përgjegjësi e do të përballet me masa disiplinore e penale”, ka deklaruar Kurti.

Në fjalimin e tij, kryeministri ka folur edhe për buxhetin e vitit 2027, duke bërë të ditur se projektligji do të miratohet të hënën në mbledhjen e Qeverisë.

Sipas tij, buxheti do të jetë i orientuar drejt projekteve kapitale, rritjes ekonomike dhe përmirësimit të cilësisë së vendeve të punës.

“Për herë të parë buxheti për investime kapitale do të tejkalojë vlerën 1 miliard euro”, ka thënë Kurti.

Ai është deklaruar edhe për protestat që po mbahen në Shqipëri, duke thënë se zhvillimet atje përcillen me shqetësim dhe përgjegjësi.

Kurti ka mohuar përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në organizimin e protestave, duke theksuar se partia aktualisht është forcë qeverisëse dhe jo protestuese.

“Ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo forcë protestuese, e edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë”, ka deklaruar ai.

Një tjetër temë e diskutuar në mbledhje ishte rezultati i shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Kurti e ka cilësuar atë si historik, duke bërë të ditur se Koalicioni Shqiptar ka marrë 27 mijë e 670 vota dhe ka siguruar dy mandate parlamentare.

Ai ka vlerësuar bashkimin e subjekteve politike shqiptare, duke thënë se ky rezultat është arritur duke vendosur interesin e përgjithshëm mbi atë partiak.

Në fund, Kurti ka folur për përmbylljen e mandatit katërvjeçar të strukturave organizative të Vetëvendosjes dhe procesin e ardhshëm të zgjedhjeve të brendshme.

Ai ka theksuar nevojën për struktura më funksionale dhe më aktive, duke përmendur veçanërisht rolin e organizatave Gratë për VETËVENDOSJE! dhe Rinia për VETËVENDOSJE!.

Sipas tij, procesi i zgjedhjeve të brendshme nuk duhet të jetë vetëm zëvendësim i emrave, por duhet të sjellë struktura më të pranishme, më të hapura dhe më të afta për t’u shërbyer qytetarëve./Arbresh.info