Shefi i Policisë së Kosovës Jep Dorëheqje Pas Vrasjes Tragjike në Vitomiricë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij, pas rastit tragjik të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Përmes një letre drejtuar kryeministrit të Kosovës, Hoxha ka bërë të ditur se vendimin e ka marrë pas një reflektimi të thellë, duke e cilësuar dorëheqjen si përgjegjësi morale dhe institucionale.
“Duke marrë për bazë ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, vrasjen makabre të nënës, bijës dhe motrës sonë, Arlinda Zekaj, pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, duke e vënë interesin e shtetit dhe dinjitetin e institucionit mbi çdo interes personal, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës”, thuhet në letrën e tij.
Hoxha ka theksuar se dhuna në familje vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues, duke vlerësuar se nevojitet bashkëpunim më i madh ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
Sipas tij, sistemi aktual nuk po funksionon në nivelin e duhur të përgjegjësisë dhe efikasitetit për trajtimin e këtij fenomeni.
“Asnjë pozitë nuk është mbi shtetin, asnjë funksion nuk është më i rëndësishëm se besimi i qytetarëve dhe askush nuk duhet të jetë mbi parimin e llogaridhënies”, ka deklaruar Hoxha.
Në letrën e tij, ai ka përmendur edhe sfidat dhe rezultatet e Policisë së Kosovës gjatë drejtimit të institucionit, që nga marsi i vitit 2023.
Ndër to ka veçuar operacionet policore në veri të vendit, përballjen me sulmin në Banjskë, hetimet për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, si dhe luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafikimit me narkotikë.
Hoxha ka paraqitur edhe të dhëna lidhur me hetimin e krimeve të luftës, luftimin e fajdesë dhe operacionet “White Star” dhe “SkyECC”.
Sipas të dhënave të paraqitura, gjatë periudhës 2023–30 tetor 2026, në kuadër të hetimeve për krime lufte janë arrestuar 62 persona, ndërsa nga maji i vitit 2024 janë arrestuar 79 persona të dyshuar për fajde dhe vepra të tjera penale.
Në përfundim, Hoxha ka falënderuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar se dorëheqja e tij nuk nënkupton braktisje të institucionit.
“Kjo dorëheqje nuk është braktisje e Policisë së Kosovës. Është një mesazh se institucionet tona duhet të jenë më të forta se individët dhe se besimi publik duhet të mbrohet me përgjegjësi të vërtetë”, ka theksuar ai.