31 të akuzuar në çështjen 'Balluku': Biznesmenë dhe kompani përballen me drejtësinë
Në dosjen e SPAK për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku janë marrë të pandehur 31 persona dhe subjekte, mes tyre pesë ndërtues dhe dy kompani private. Në listën e të pandehurve janë Arbër Abazi, Pandeli Carapuli, Paqsor Buzi, Artan Sako dhe Ram Geci.
Arbër Abazi, së bashku me kompaninë e tij “Alko Impex General Construction”, akuzohet për korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh. Sipas SPAK, kompania e tij fitoi tenderin e Lotit 7 të Unazës së Madhe, ndërsa Abazi dyshohet se shpërbleu Ballukun me një vilë në Palasë.
Artan Sako i kompanisë “2T” dhe Paqsor Buzi i “G.P.G. Company” akuzohen për falsifikim dokumentesh në lidhje me tenderat e Unazës së Madhe. Ndërsa Ram Geci akuzohet për falsifikim dokumentesh në lidhje me tenderin prej rreth 14 milionë eurosh për ndërtimin e rrugës “Porto Romano-Durrës”, Loti 3.
Edhe biznesmeni Pandeli Carapuli është marrë i pandehur, së bashku me kompaninë e tij, për pastrim parash në lidhje me vilën e Ballukut në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi. Sipas SPAK, prona ka një vlerë aktuale prej 720 mijë eurosh, ndërsa investimi i kryer nga Balluku llogaritet në rreth 140 mijë euro. Carapuli nuk akuzohet për korrupsion aktiv, pasi vepra penale është parashkruar.
Dosja përfshin gjithashtu vartës dhe ish-drejtues të institucioneve, të cilët akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Ervis Berberi përballet me nëntë akuza për shkelje në nëntë tenderat e hetuar, ndërsa mbi 10 persona janë marrë të pandehur për procedurën e ndërtimit të Tunelit të Llogorasë.
Lista e 31 të pandehurve në dosjen “Balluku” dhe akuzat:
Belinda Balluku: Shkelje e barazisë në 9 tendera, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie Pandeli Carapuli: Pastrim parash Igli Tare: Pastrim parash në 2 raste Joana Bushi: Pastrim parash Arbër Abazi: Korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh Alko Impex General Construction: Korrupsion aktiv Viola Haxhiademi: Shpërdorim detyre Ergys Verdho: Shpërdorim detyre Adja Strazimiri: Shpërdorim detyre dhe shkelje në tendera Anila Sulollari: Shpërdorim detyre Paqsor Buzi: Falsifikim dokumentesh Artan Sako: Falsifikim dokumentesh Ram Geci: Falsifikim dokumentesh Eurocol sh.p.k.: Pastrim parash Evis Berberi: Shkelje në 9 tendera Gentian Gjyli: Shkelje në tendera dhe shpërdorim detyre Erald Elezi: Shkelje në 3 tendera Jetmira Dervishi: Shkelje në tendera Mirzeta Kashnica: Shkelje në tendera Jonida Çeçe: Shkelje në 3 tendera Adrian Kroi: Shkelje në 4 tendera dhe shpërdorim detyre Denis Xhoshi: Shkelje në 3 tendera Klarita Konomi: Shkelje në 1 tender Miranda Shkurti: Shkelje në 8 tendera Genti Raça: Shkelje në 5 tendera dhe shpërdorim detyre Eduart Agalliu: Shkelje në 1 tender Arbër Troka: Shkelje në 2 tendera Dhurata Lazaj: Shkelje në 3 tendera Nikollaq Mihali: Shkelje në 3 tendera Gëzim Noni: Shkelje në 3 tendera Arlinda Gordani: Shkelje në 4 tendera
Top Channel