Browse

Article • • 1 min read

Nëntë të dyshuar për mashtrim me Call Center në paraburgim për një muaj në Prishtinë

Share Post

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim për nëntë persona, të dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Mashtrimi kompjuterik”.

Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndërsa gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar atë pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

Sipas njoftimit të gjykatës, të dyshuarit dyshohet se gjatë vitit 2026, deri më 23 tetor, kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe me role të ndara në lokacione të ndryshme në Prishtinë, të cilat shfrytëzoheshin si qendra të thirrjeve (Call Center).

Ata dyshohet se, përmes paraqitjes së rreme si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare, kanë vënë në lajthim shtetas të huaj, duke i nxitur të kryejnë veprime që dëmtonin pasurinë e tyre, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm financiar.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që të dyshuarit të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë apo persona të dëmtuar, si dhe të fshehin, ndryshojnë ose asgjësojnë prova materiale. Në vlerësimin e saj, gjykata ka marrë parasysh edhe faktin se tre nga të dyshuarit janë shtetas gjermanë dhe se janë evidentuar udhëtime të shpeshta jashtë vendit.

Për këto arsye, gjykata ka konsideruar se paraburgimi është i nevojshëm për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës penale.

Të dyshuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë./Arbresh.info