Browse

Article • • 1 min read

Ministri Karakaçi mohon rritjen e tarifës në Rrugën e Kombit

Share Post

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka reaguar pas informacioneve që po qarkullojnë në rrjetet sociale për një rritje të tarifës së kalimit në Rrugën e Kombit nga 5 në 8 euro, duke i cilësuar ato të pavërteta.

Përmes një reagimi publik, Karakaçi ka theksuar se nuk ka asnjë rritje të tarifës dhe se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka plan për ndryshimin e saj.

“E PAVËRTETË Në rrjetet sociale po qarkullojnë informacione se tarifa e kalimit në Rrugën e Kombit do të rritet në 8 euro. Ky informacion është i pavërtetë. Nuk ka asnjë rritje të tarifës së kalimit në Rrugën e Kombit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë NUK ka asnjë plan për ndryshimin apo rritjen e tarifës aktuale’ shkruan Karakaçi

Reagimi vjen pas publikimit në rrjetet sociale të një dokumenti, sipas të cilit kompania koncesionare e autostradës Milot–Morinë, “Albanian Highway Concession” (AHC), thuhet se ka kërkuar rritjen e tarifës për veturat nga 5 në 8 euro.

Sipas dokumentit që po qarkullon, koncesionari kërkon rishikimin e tarifës, duke iu referuar formulës së indeksimit të përcaktuar në kontratën e koncesionit. Në dokument pretendohet se tarifa ka mbetur e pandryshuar që nga fillimi i operimit të autostradës, në vitin 2018, pavarësisht ndryshimeve të treguesve ekonomikë.

Arbresh.info i ka dërguar një email kompanisë koncesionare “Albanian Highway Concession” (AHC), duke kërkuar sqarime lidhur me dokumentin që po qarkullon dhe pretendimet për rritjen e tarifës së kalimit në Rrugën e Kombit. Deri në publikimin e këtij lajmi, redaksia nuk ka pranuar ende një përgjigje nga kompania.

Tarifa bazë për kalimin e veturave në Rrugën e Kombit është 5 euro. Në rast se një rritje në 8 euro do të miratohej, kostoja për një udhëtim vajtje-ardhje do të arrinte në 16 euro, nga 10 euro sa është aktualisht./Arbresh.info