Browse

Article • • 1 min read

Komisioni i Buxhetit Refuzon Amendamentin për 1 Milion Euro për Protezat e Invalidëve të Luftës

Share Post

Komisioni për Buxhet nuk i ka dhënë dritën e gjelbër propozimit për ndarjen e një milion eurove shtesë për invalidët e luftës, të destinuara për blerjen e protezave dhe pajisjeve të tjera mjekësore.

Propozimi u shqyrtua gjatë diskutimeve për ndryshimet në Ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2026, por nuk arriti të sigurojë shumicën e votave. Pesë anëtarë të komisionit votuan pro, ndërsa pesë të tjerë abstenuan.

Gjatë debatit, ministri i Financave, Hekuran Murati, argumentoi se mbulimi i këtyre shpenzimeve tashmë është paraparë me rregullativa ekzistuese dhe realizohet përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Në anën tjetër, deputetë nga partitë opozitare kërkuan që të sigurohen mjete shtesë, duke u thirrur në ankesat e vazhdueshme të invalidëve të luftës për kostot e protezave.

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, dhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, theksuan vështirësitë me të cilat përballen këta persona. Haxhiu tha se disa prej tyre janë detyruar të kërkojnë ndihmë nga bashkatdhetarët në diasporë për t’i mbuluar shpenzimet.

Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, u shpreh në favor të amendamentit, por kërkoi që financimi i protezave të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme, duke u përfshirë në buxhetin e rregullt të Klinikës së Ortopedisë në QKUK.