Barcelona ankohet në UEFA për koreografinë kërcënuese të tifozëve të PSG
Barcelona ka paraqitur një ankesë zyrtare në UEFA për koreografinë fyese dhe kërcënuese të shpalosur nga tifozët ultras të Paris Saint-Germainit para fillimit të ndeshjes mes dy skuadrave në Ligën e Kampionëve.
Në tribunën e tifozëve vendas u shfaq një figurë e ngjashme me personazhin Jason nga filmi horror “Friday the 13th”, duke shkatërruar me sharrë elektrike stemën e Barcelonës.
Krahas saj ishte vendosur mesazhi kërcënues në frëngjisht: “Massacre à la parisienne”, që në shqip përkthehet “Masakër në stilin parizien”.
Klubi katalunas ia paraqiti ankesën delegatit të UEFA-s, i cili ishte i pranishëm në stadiumin “Parc des Princes”, gjatë pushimit mes dy pjesëve të ndeshjes.
Përveç koreografisë, Barcelona kërkoi edhe largimin e pankartave të tjera fyese ndaj klubit, në të cilat ishte shkruar “Puta Barça”.
Në klubin katalunas vlerësuan se tifozët ultras të PSG-së e kishin kaluar kufirin me mesazhet dhe pamjet e shfaqura në tribuna.
Kjo ndodhi në një mbrëmje të hidhur për Barcelonën, e cila pësoi humbjen e parë të sezonit, duke u mposhtur me rezultat 4-2 nga kampioni francez në Ligën e Kampionëve./Arbresh.info