Kosova dhe Britania synojnë rritjen e tregtisë dhe mundësi të reja për bizneset
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve.
Përmes një postimi, Kusari-Lila ka bërë të ditur se gjatë takimit është biseduar për sektorët me potencial për rritje dhe zgjerim, si dhe për aktivitetet e ardhshme të përbashkëta.
“Partneriteti strategjik dhe shumëvjeçar ndërmjet Kosovës dhe Britanisë duhet të fuqizohet edhe në rrafshin ekonomik, përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare, investimeve dhe krijimit të mundësive të reja për bizneset e të dy vendeve”, ka shkruar Kusari-Lila.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe krijimi i mundësive të reja për bizneset kosovare dhe britanike, me synim forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy shteteve./Arbresh.info