Browse

Article • • 1 min read

Sadleva Bodo bëhet gruaja e parë në krye të burgjeve në Shqipëri

Share Post

Sadleva Bodo është emëruar në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë institucion. Juristja vjen në këtë detyrë pas një karriere në administratën publike, në Ministrinë e Brendshme dhe në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), strukturë e lidhur me sistemin e posaçëm të drejtësisë në Shqipëri, në kuadër të SPAK-ut.

Bodo ka mbajtur më herët pozicionin e këshilltares ligjore të drejtorit të BKH-së, ndërsa ka punuar edhe në Ministrinë e Brendshme, gjatë kohës kur ky institucion drejtohej nga Fatmir Xhafaj.

Nga maji i vitit 2018 deri në gusht 2021, ajo ka qenë drejtoreshë e Drejtorisë së Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës në Ministrinë e Brendshme. Pas largimit nga ky institucion, Bodo kaloi në Byronë Kombëtare të Hetimit, ku vijoi karrierën e saj deri në emërimin e ri.

E lindur më 29 janar 1988, Sadleva Bodo është me prejardhje nga Dukati i Vlorës, siç mëson Arbresh.info. Ajo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 2010. Më pas, ka vijuar studimet pasuniversitare në Wayne State University, në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe në Universitetin e Maastricht-it në Holandë.

Përveç angazhimit në institucionet publike, sipas CV-së së saj zyrtare, prej dhjetorit të vitit 2022, Bodo është edhe anëtare e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.

Emërimi i saj në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shënon kalimin nga një pozicion në strukturat drejtuese të BKH-së në administrimin e sistemit penitenciar, një sektor të rëndësishëm në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Bodo merr drejtimin e institucionit pas dorëheqjes së Adriatik Kupit, i cili qëndroi rreth shtatë muaj në këtë detyrë.

Ndër vite, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pasur ndryshime të shpeshta në drejtim. Që nga viti 2013, në krye të saj janë ndërruar nëntë drejtues, ndërsa çështjet që lidhen me administrimin e sistemit penitenciar dhe trajtimin e të dënuarve kanë qenë vazhdimisht në vëmendjen publike./Arbresh.info/