Browse

Article • • 1 min read

Hoti dyshon se projektligji për Specialen siguron mbrojtjen e duhur në Apel

Share Post

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, pas mbledhjes së Qeverisë, ku u morën disa vendime, ndër to edhe formimi i grupit punues për strategji shtetërore për Apelin ndaj katërshes së UÇK-së, ka thënë se nuk është i bindur nëse projektligji i propozuar do të sjellë ndryshimet e nevojshme për të siguruar mbrojtjen e duhur për ta.

Hoti tha se Qeveria shpreson që partia që e ka sponsorizuar projektligjin të jetë konsultuar me akterët e tjerë dhe me ekipet e Apelit, ndërsa vuri në pikëpyetje procesin e hartimit të tij.

“Ne nuk jemi shumë të bindur për këtë projektligj, por po shpresojmë që partia që e ka sponsorizuar projektligjin është konsultuar me akterët tjerë dhe me Apelin. Nuk jam shumë i bindur për projektligjin që do të bëjë ndryshimet e nevojshme që të kenë një mbrojtje të duhur udhëheqësit tanë të UÇK-së që janë në Hagë”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Hoti ka shtuar se reagimet e Bashkimit Evropian ishin të pritshme, pasi, sipas tij, Kushtetuta e Kosovës parasheh konsultime paraprake me BE-në për ndryshime të tilla ligjore.

“Një gjë e tillë, sa e dimë ne, nuk është se ka ndodhur gjatë hartimit të një projektligji që është hartuar për dy apo tri ditë”, tha Hoti.

Ai tha se Qeveria po punon për hartimin e një strategjie që do të përqendrohet në procedurat e Apelit.

Sipas tij, në krye të grupit punues do të jetë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.