Browse

Article • • 1 min read

Panahori ende pa furnizim normal me ujë, banorët hapën rreth 25 puse

Share Post

Në Panahor të Mallakastrës, uji i pijshëm prej më shumë se 30 vitesh mbetet një problem i pazgjidhur për banorët. Furnizimi nga rrjeti i ujësjellësit ka munguar për dekada, duke i detyruar familjet të gjejnë vetë zgjidhje për një nga nevojat më bazë.

Për të siguruar ujin, banorët kanë hapur puse me shpenzimet e tyre, kryesisht në zonën pranë lumit Gjanica. Por edhe kjo zgjidhje ka një kosto të lartë, pasi uji duhet të pompohet dhe të transportohet deri në banesa.

“Ne kemi 36 vite pa ujë. Tani që janë bërë këto instalimet e reja, shpresojmë të na vijë uji, se atë po presim. Për të siguruar ujin, detyrohemi të marrim nga lumi. Me makinë hedhim fuçitë në karroceri dhe marrim ujë. Por ai ujë përdoret vetëm për nevoja të tjera, jo për të pirë”, shprehet një prej banorëve.

Banorët thonë se rreth një vit më parë janë kryer instalime të reja, por furnizimi ende nuk është normalizuar. Sipas tyre, u është thënë se problem kanë qenë tubacionet, ndërsa tashmë presin që rrjeti i ri të vihet në funksion.

“Këto instalime kanë rreth një vit që janë bërë. Na kanë thënë se ka pasur probleme me tubacionet, që nuk e lidhin ujin të vinte. Tani shpresojmë që, me këto punime dhe instalimet e reja, të na vijë më në fund uji”, deklaron një tjetër banor.

Mungesa e ujit nuk prek vetëm konsumin familjar. Panahori është një zonë ku një pjesë e banorëve merren me bujqësi, ndaj uji është i domosdoshëm edhe për tokat bujqësore.

Një prej banorëve tregon se është detyruar të investojë vetë për hapjen e pusit dhe sistemin e furnizimit me ujë.

“Deri para disa vitesh, fshati ka pasur ujë. Kur u ndryshua sistemi, pati probleme dhe u ndërpre furnizimi. Ne, si banorë dhe mosha të treta, kemi vuajtur shumë nga kjo situatë. Kam bërë një pus dhe kam investuar rreth 22 milionë lekë, sepse ky fshat është në një pozicion ku ka diell nga ora pesë e mëngjesit deri në perëndim. Për këtë arsye, bujqësia këtu ka nevojë patjetër për ujë”, shtoi banori.

Sipas banorëve, në fshat janë hapur rreth 25 puse, disa pranë lumit Gjanica dhe të tjerë në zona të ndryshme. Por edhe kjo zgjidhje i detyron familjet të përballojnë shpenzime të vazhdueshme për energjinë elektrike, tubacionet dhe pompimin e ujit.

Top Channel