Raportet e ADN-së zbulojnë viktimat e 'Grupit të Intelektualëve'
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë pranuar tri raportet e para të ADN-së nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Sipas Kurtit, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, të cilat lidhen me personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999.
“Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe menjëherë, sot, përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave të identifikuara”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se identifikimet janë bërë më pak se dy muaj pas konfirmimit të varrit të parë masiv në Kalludër.
Kurti ka bërë të ditur se në ditët dhe javët në vijim priten edhe raporte të tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së.
“Shpresojmë që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se, ndonëse asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, njohja e së vërtetës u jep fund familjeve pasigurisë dhe ankthit për fatin e të afërmve të tyre.
Sipas Kurtit, më 27 korrik ishte konfirmuar gjetja e varrit masiv në Kalludër. Ai ka përsëritur kërkesën që faktorët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel.
Kurti ka kërkuar gjithashtu hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimet në terren, mbështetjen për procesin e identifikimit dhe komunikimin me familjet e personave të zhdukur.
“Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor”, ka shkruar Kurti./Arbresh.info