Edi Rama në qendër të vëmendjes pas deklaratës për dorëheqje
Gazeta Minuti arbn · September 13, 2026 · Uncategorized
Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për të ardhmen e tij politike dhe momentin kur mund të largohet nga drejtimi i qeverisë, duke e lidhur këtë me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë një interviste të fundit, Rama deklaroi se nuk ka ndërmend të qëndrojë në pushtet pafundësisht, ndërsa theksoi se objektivi kryesor që e mban aktualisht në politikë është integrimi i Shqipërisë në BE.
“Unë nuk jam këtu për t’u bërë mbret ose për të qëndruar në pafundësi. Unë jam këtu vetëm sepse shoh derën e hapur të Bashkimit Europian”, u shpreh kryeministri.
Rama la të kuptohet se momenti kur Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian mund të shënojë edhe fundin e angazhimit të tij në krye të qeverisë.
Advertisements
“Në momentin që, me ndihmën e Zotit dhe të shqiptarëve, unë e kapërcej pragun e asaj dere, juve do të shpëtoni nga unë”, deklaroi ai.
Kjo deklaratë vjen pas sigurimit të mandatit të katërt radhazi nga Rama në krye të qeverisë. Para zgjedhjeve, kryeministri kishte deklaruar se largimi i tij mund të vinte përmes votës së qytetarëve ose përmes një vendimi personal për t’u tërhequr nga politika.
Megjithatë, Rama nuk ka dhënë një afat konkret se kur mund të ndodhë largimi i tij, duke e lidhur këtë moment me përfundimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.