Browse

Article 1 min read

Parashikimi i guximshëm i Berat Buzhalës për fatin e Hashim Thaçit në Hagë

Share Post

Gazeta Minuti arbn · September 13, 2026 · Uncategorized

Analisti dhe gazetari Berat Buzhala ka dhënë një vlerësim të tij lidhur me atë se çfarë mund të ndodhë me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën, kur pritet vendimi në rastin e tij në Hagë.

Buzhala thotë se, bazuar në informacione që ka marrë dhe në analizën e tij, beson se Thaçi do të lirohet dhe do të shpallet i pafajshëm.

“Unë mendoj që Hashim Thaçi lirohet, del i pafajshëm”, ka shkruar Buzhala.

Ai ka sqaruar se ky qëndrim nuk është vetëm analizë, por bazohet edhe në informacione nga burime të cilat, sipas tij, janë serioze.

Megjithatë, Buzhala ka theksuar se këto informacione mund të jenë të pasakta dhe se pikërisht për këtë arsye nuk i ka publikuar ato si një lajm të konfirmuar.

“Padyshim që po, sepse përndryshe e kisha botu si lajm që Hashim Thaçi do të lirohet të mërkurën”, ka deklaruar ai.

Sipas Buzhalës, një pjesë e rëndësishme e analizës së tij lidhet me dëshminë e ish-komandantit të NATO-s për Evropë, gjeneralit amerikan Wesley Clark, si dhe ish-zyrtarit të lartë amerikan James Rubin.

Buzhala argumenton se dëshmitë e figurave të tilla amerikane në proces janë një element që, sipas tij, duhet marrë në konsideratë kur analizohet përfundimi i mundshëm i rastit.

“Mendja e shëndoshë nuk ma rroke që amerikanët i kishin dhënë leje një gjenerali me shku e me dëshmu në një proces, nëse ata paraprakisht e kishin ditë që Thaçi dënohet”, ka shkruar ai.

Buzhala shkon edhe më tej në analizën e tij, duke thënë se nuk beson që Thaçi do të dënohet apo lirohet pa një lloj miratimi nga Shtetet e Bashkuara.

“Unë mendoj që Hashim Thaçi as nuk do të dënohet as nuk do të lirohet pa bekimin e amerikanëve”, është shprehur ai.

Ai gjithashtu ka deklaruar se nuk beson që SHBA-ja, në këtë fazë, ka interes që Thaçi të dënohet.

Duke folur edhe për tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së që po gjykohen në të njëjtin proces, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, Buzhala ka thënë se shpreson që vendimi të jetë pozitiv për të gjithë.

“Sigurisht të tre janë shumë të rëndësishëm, por nëse lirohet Thaçi, lirohet Kosova. Besoj dhe shpresoj që lirohen të gjithë”, ka shkruar ai.

Në fund, Buzhala ka paralajmëruar se një rezultat tjetër nga ai që ai pret mund ta bëjë situatën në Kosovë më të vështirë sa i përket ruajtjes së paqes dhe sigurisë.

“Në çdo rast tjetër, unë mendoj që ruajtja e paqes dhe e sigurisë në Kosovë do të jetë mision i vështirë”, ka përfunduar ai.

Vlerësimi i Buzhalës mbetet analizë dhe parashikim personal, ndërsa vendimi përfundimtar për Thaçin dhe bashkëakuzuarit e tij i takon trupit gjykues.