Deklarata Befasuese e Komandantit të KFOR-it për të Ardhmen e Urës së Ibrit
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, në përfundim të mandatit të tij të dytë në Kosovë, ka deklaruar se situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndonëse sfidat vazhdojnë të jenë të pranishme.
Në një intervistë për Telegrafin, Ulutash ka bërë të ditur se NATO ka nisur procesin e përshtatjes graduale të pranisë së KFOR-it, si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë. Ai ka theksuar se ky proces mund të rishikohet nëse rrethanat e sigurisë përkeqësohen.
Sipas tij, pas tensioneve dhe dhunës së vitit 2023, përfshirë sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, situata ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme.
“Situata e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet gjatë viteve të fundit”, ka deklaruar Ulutash.
Duke folur për Urën e Ibrit, komandanti i KFOR-it ka sqaruar se misioni i NATO-s nuk ka mandat të vendosë nëse ura duhet të hapet apo jo.
“KFOR-i nuk ka mandat të përcaktojë nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo çështje i takon Bashkimit Evropian dhe institucioneve përkatëse në Kosovë”, ka thënë ai.
Ulutash ka shtuar se KFOR-i do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në veri dhe jug të Mitrovicës, si dhe në pjesën veriore të Kosovës.
Ai ka theksuar se rruga drejt një stabiliteti të qëndrueshëm është politike dhe jo ushtarake.