Vazhdimi i paraburgimit për Hashim Thaçin: Çfarë fshihet pas vendimit?
Specialja në Hagë ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, në një rast të ri ku ai akuzohet për pengim të drejtësisë dhe veprime që ndërhyjnë në procesin gjyqësor. Kjo kërkesë u paraqit pasi gjykata kishte vlerësuar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Thaçi ka kryer vepra që bien nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Përveç kësaj, është vlerësuar se ai paraqet rrezik arratisje dhe se mund të pengojë hetimet nëse lirohet.
Prokuroria ka argumentuar se nuk ka asnjë masë më e lehtë se paraburgimi që mund të zbusë këto rreziqe, duke nënvizuar se situata që çoi në paraburgim nuk ka ndryshuar. Thaçi mbetet në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku është që nga nëntori i vitit 2020, fillimisht për çështjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Rastet e reja ndaj tij lidhen konkretisht me akuzat për pengim të drejtësisë, duke u pretenduar se ai ka promovuar dhe koordinuar veprime të caktuara për të ndikuar dëshmitarë dhe procesin gjyqësor. Sipas prokurorisë, nuk ka asnjë garanci që Thaçi të respektojë kushtet e lirimit apo të shmangë rreziqet e identifikuara, përfshirë ndikimin në dëshmitarë.