Pse LDK Refuzon Postin Ceremonial të Kryeparlamentarit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka treguar se çfarë u bisedua.
Ai tha se LDK-ja nuk e do postin e kryeparlamentarit, të cilin e quajti “ceremonial”.
“Me vullnet të mirë, me respektim të plotë edhe të rezultatit zgjedhor, por edhe të gatishmërisë sonë si LDK që me çdo kusht t’i shmangim zgjedhjet e reja, besoj se kështu e respektojmë edhe interesin e Republikës. Ishte një takim i mirë, i mbarë, ku diskutuam çështje të ndryshme programore, politike të ardhme e strategjike. Do të përpiqemi që në ditët në vazhdim të diskutojmë sërish. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve të Republikës, dhe në këtë balancë demokratike LDK duhet të ndihet e përfaqësuar në të kundërtën edhe kontributi i LDK-së dhe konstalacioni politik i ndërtuar s’do të ketë as forcën e as fuqinë e nevojshme, do t’i vazhdojmë takimet me po kaq vullnet të mirë, nëse s’bëjmë asgjë, zgjedhjet e reja janë të pashmangshme”.